Ministri Peci: Me politikat e reja, bujku kosovar më i përkrahuri në rajon

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka vazhduar me vizitat e tij në terren tek fermerët e Komunës së Vushtrrisë dhe ata të fshatrave të Veriut të Kosovës, ku për së afërmi ka parë ecurinë e veprimtarive bujqësore e blegtorale të fermerëve të këtyre rajoneve, si dhe është njoftuar me sfidat me të cilat përballen ata në këto veprimtari.
Gjatë vizitës tek blegtorët e fshatit Novolan të Komunës së Vushtrrisë, Ministri Peci i ka njoftuar ata me masat përkrahëse të këtij viti për sektorin e blegtorisë. “Përmes Programit për Zhvillim Rural / Granteve, fermerë si Ramadani do të kenë mundësitë për të përfituar përkrahje financiare në ndërtimin e shtallave të reja apo edhe zgjerimit të kapaciteteve ekzistuese”, ka treguar Ministri Peci.
Në kuadër të aktivitetit të tij, Ministri ka vizituar edhe fshatrat Cerajë, Koshtovë e Vllahisë, Bistricë, Zhazhë dhe Boletin në veri të Republikës së Kosovës, ku përveç se është njoftuar me veprimtaritë e tyre bujqësore e blegtorale, njëkohësisht ka bashkëbiseduar edhe për nevojat e tyre infrastrukturore, çështje të sigurisë dhe një mori temash tjera që i preokupojnë qytetarët e kësaj ane.
Në kuadër të kësaj vizite, Ministri ka parë nga afër edhe punën e fermerit Nexhat Brahimi nga Koshtova e Vllahisë , i cili tokën e lënë djerrinë pas 30 viteve ka vendosur që ta kultivojë me kultura bujqësore e të cilin e njoftoi për politikat e reja bujqësore të këtij viti, përmes të cilave theksoi se bujku kosovar është më i përkrahuri në rajon.
Ndryshe, përmes Programit të Pagesave Direkte dhe Programit për Zhvillim Rural, kë të vit fermerë t do të gjejnë përkrahje për zhvillimin dhe zgjerimin e veprimtarive të tyre bujqësore e blegtorale.