MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Ministri Krasniqi: Fermerët të themelojnë kooperativa bujqësore

13.07.2016

Intervistuan: Vesa Pakashtica & Shkëlzen Rrecaj

Bujqësia mbetet një nder sektorët ku është investuar viteve të fundit goxha shumë, dhe nga ky investim i madhe që është bërë pritet një mundësi e mirë për punësim dhe zhvillim të vendit.

Këtë vit MBPZHR ka paraparë që të investohet në grante dhe subvencione diku rreth 46 milionë euro, nga kjo kanë përfituar diku 40 mijë fermerë kosovarë.

Po ashtu MBPZHR, në këtë vit ka futur edhe në program kulturat tjera bujqësore siç janë bujqësia organike, akuakultura, pastaj thëllëzat, arrën, lajthinë aroninë, elbin thekrën, e të tjera.

Një mundësia e mirë për fermerët është edhe themelimi i kooperativave bujqësore e për këtë ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi në një intervistë për portalin “bujesia.org” deklaroi: “Ne kemi një ligj për kooperativat bujqësore që është mjaftë i mirë dhe unë bej thirrje që fermerët të shqyrtojnë mundësitë që ofron ky ligj por edhe vet kooperativat. Përveç kësaj ne po shqyrtojmë mundësi që të kemi edhe nisma mbështetëse për fermerët që themelojnë kooperativë. Gjithsesi kjo mbetet në vullnetin e fermerëve.”

Bujqesia.org: Z. Krasniqi, cili është fokusi i juaj për këtë vit në ministrin që ju drejtoni?

Ne kemi planprogramin tonë si ministri që orientohet në ndihmë direkte për fermerët përmes granteve dhe subvencioneve, por edhe në angazhime të tjera që lidhen me avancimin e mëtejmë të këtij sektori, siç është shërbimi këshillimor, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe rajonal.

Bujqesia.org: Sa është buxheti i MBPZHR-së dhe a mjafton ky buxhet për këtë ministri?

Këtë vit kemi planifikuar 46 milionë euro për grante dhe subvencione. Janë 3 milionë euro më shumë dhe besojmë se do të ketë më shumë ndikim në rritjen e prodhimit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Nevojat, kërkesat janë më të mëdha por rritja e buxhetit në këto dy vite tregon se ka një përkushtim maksimal që ky sektor të vazhdojë të shërbejë si një prej faktorëve kryesorë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Bujqesia.org: Së fundmi ministria ka hapur konkursin për subvencione. Cilat janë kriteret për të qenë fitues dhe sa është numri i të interesuarve për t’u marrë më bujqësi?

Kemi pak a shumë kritere të njëjta, sepse është një program standard, por kemi ndryshime aty këtu dhe të cilat më shumë kanë të bëjnë me nevojën për lehtësim, ta zëmë në disa raste kemi ulur sipërfaqen minimale të tokës së nevojshme për aplikim, por në disa raste kemi kërkuar ndonjë dokument shtesë, thjeshtë për çështje verifikimi dhe implementimi më të mirë. Tani ne kemi bërë publike menjëherë listat e përfituesve të mundshëm të granteve në disa nën sektorë dhe jemi në terren për inspektime për aplikuesit në grante dhe subvencione.

Bujqesia.org: Sa është shuma e mjeteve të planifikuara për subvencione për këtë vit?

Edhe këtë vit janë ndarë 23 milionë euro vetëm për subvencione, e 23 milionë të tjera në grante. Nga kjo shumë kanë përfituar një numër prej rreth 40 mijë fermerëve. Këtë vit ka shumë risi në programe, në veçanti tek ai i pagesave direkte ku për herë të parë kemi përfshirë kultura dhe aktivitete tjera bujqësore siç janë bujqësia organike, akuakultura, pastaj thëllëzat, arrën, lajthinë aroninë, elbin thekrën, e të tjera.

Bujqesia.org: Z. Krasniqi prej që keni marrë drejtimin e ministrisë së bujqësisë. A mund të na tregoni për zbatueshmerinë e planit tuaj? Ku keni investuar më shumë në cilët sektorë?

Transparenca dhe efikasiteti në implementim të programeve ka qenë dhe mbetet angazhim i yni në çdo proces. Ne kemi rritur transparencën dhe implementimin efikas të programeve, duke publikuar me kohë çdo kriter e procedurë dhe listat e përfituesve për secilën kulturë apo aktivitet bujqësor. Kemi pasur kontrolle të shtuara në terren dhe çka është më e rëndësishme realizim me kohë të pagesave. Gjithashtu, jemi përpjekur dhe po përpiqemi që secili që ka kërkuar përgjigje nga ne, t’ia kthejmë në kohë dhe në mënyrë sa më konkrete. Unë vërej se ka një rritje të besimit në punën tonë dhe këtë e kanë thënë edhe hulumtime nga organizata të pavarura.

Bujqesia.org: A është zgjedhur përfundimisht eksporti i patateve me Shqipërinë?

Ne kemi arritur marrëveshje me Shqipërinë në shumë fusha sa i përket shkëmbimeve tregtare. Është evidente tashmë që nuk ka probleme për produkte të ndryshme, por ne po punojmë që në mënyrë konkrete dhe me marrëveshje t’i zgjidhim të gjitha paqartësitë që mund të kemi.

Bujqesia.org: Tashme filloi zbatimi i MSA-së, cilat janë lehtësimet e prodhuesve bujqësor dhe a do të ketë rritje të eksportit?

Ka prodhime nga Kosova që janë të pranishme në tregun evropian, por me Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim, prodhuesit dhe përpunuesit tanë do të kenë mundësi të reja që produktet e tyre t’i shesin në tregjet e Bashkimit Evropian, duke përfituar nga lehtësirat doganore dhe masat e tjera preferenciale. Ne kemi produkte që mund të jenë konkurrente në tregun evropian siç janë pemët dhe perimet. Ne kemi pasur rritje të eksportit në vitin 2015, dhe besojmë se ky trend do të vazhdoj edhe këtë vit dhe vitet e ardhshme. Por nuk duhet lënë anash se duhet të fokusohemi në zëvendësimin e importit.

Bujqesia.org: Kur do të themelohet fondi për fatkeqësitë natyrore dhe sa do të jetë shuma e këtij fondi?

Ne e kemi finalizuar masën për kompensimin e dëmeve që do të jetë e përhershme. Presim në ditët në vazhdim që ta nënshkruajmë dhe më këtë çdo fermerë që do të pësojë nga fatkeqësitë natyrore do të ketë kompensim të pjesshëm. Masa do të hyjë në fuqi gjatë këtij viti.

Bujqesia.org: Dihet që në kuadër të fakultetit të bujqësisë dhe veterinarisë për çdo vit diplomojnë kuadro profesional në fushën e mbrojtjes së bimëve të cilët fatkeqësisht nuk gjenden të kyçur neper vende të ndryshme si farmaci bujqësore etj.?

Ne po rrisim investimet në bujqësi, në ferma e agrobiznese në mënyrë që të ketë sa më shumë vende pune për profesionistë që dalin nga Fakulteti i Bujqësisë. Kemi shumë raste kur shumë studentë tashmë janë angazhuar. Shumë prej tyre angazhohen edhe në programet tona në ministri. Me zgjerimin e agrobizneseve dhe fermave nevoja për profesionistë rritet dhe kjo padyshim ndikon që të diplomuarit në bujqësi të kenë më shumë mundësi.

Bujqesia.org: Një pikë strategjike për të pushtuar tregun është edhe krijimi i kooperativave bujqësore sipas modelit evropian dhe padyshim që në Kosovë është shumë e domosdoshme. Në Kosovë disa nga to kanë pasur sukses. Pritet të arrihet diçka me shumë në këtë drejtim?

Është një çështje mjaftë e rëndësishme dhe që do të ndikonte në zhvillim më të madh të bujqësisë. Unë në çdo takim që kam me fermerët dhe shoqatat e kam përmendur si nevojë dhe jam i vetëdijshëm për disa rrëfime suksesi, por nuk është e mjaftueshme. Ne kemi një ligj për kooperativat bujqësore që është mjaftë i mirë dhe unë bej thirrje që fermerët të shqyrtojnë mundësitë që ofron ky ligj por edhe vet kooperativat. Përveç kësaj ne po shqyrtojmë mundësi që të kemi edhe nisma mbështetëse për fermerët që themelojnë kooperativë. Gjithsesi kjo mbetet në vullnetin e fermerëve.

Bujqesia.org: Importi i madh po shihet si pengesë e zhvillimit të bujqësisë tek ne. Ankesat vijnë nga ana e fermerëve të cilët thonë se prodhimet vendore po dëmtohen nga ky import. Çfarë mendoni ju?

Është e vërtetë që ka import të lartë, por duhet ta dimë se flasim për një ekonomi të tregut të lirë. Gjithsesi ne po përpiqemi, dhe mbetet synim i yni që ta zëvendësojmë importin në ato produkte që mund t’i prodhojmë vet, si pemët, perimet, qumështi dhe mishi. Jam i lumtur që ka një rritje të ndjeshme të konsumit të prodhimeve vendore dhe çka është me e rëndësishme një rritje të besimit të konsumatorëve.

Bujqesia.org: Që kur keni marrë postin si Ministër i Bujqësisë, angazhimi juaj ka qenë i dukshëm duke sjellë dhe ndryshime pozitive, keni qenë dhe i afërt me fermerët ku se fundmi keni marrë dhe mirënjohje nga korporata bujqësore “Agrokovraga’ për mbështetjen e dhënë në sektorin e pemëve drufrutore, gjithashtu keni pasur dhe diskutime të drejtpërdrejta me fermerët. Cilat janë çështjet me brengosëse për ta?

Unë jam i vetëdijshëm për sfidat që janë në terren sepse jam gjithmonë në kontakt me fermerët. Bisedat tona janë gjithmonë të sinqerta dhe bashkë përpiqemi të gjejmë zgjidhjet me të mira. Mund të them se shumë prej ndryshimeve që ne kemi bërë janë si rezultat i kontaktit të drejtpërdrejtë me fermerin. Është e nevojshme të investohet më shumë në projekte të ujitjes dhe më shumë edukim për fermerët.

Bujqesia.org: Synimi i politikave të CAP është inkurajimi i të rinjve që të merren me bujqësi. Në vendin tonë interesimi dhe vetëdijesimi i të rinjve që të merren me bujqësi është gjithmonë e në rritje. Ky interesim vjen edhe tek “bujqesia.org” ku mesazhet e shumta vijnë nga ana e tyre?

Në vende të ndryshme të botës po ndodhë një largim i të rinjve nga bujqësia, por tek ne po ndodhë e kundërta. Shumë të rinj po hyjnë në bujqësi dhe po tregojnë shumë sukses. Ne programet tona mbështetëse ne kemi paraparë qasje preferenciale për aplikuesit që janë në moshë të re dhe kjo ka dhënë rezultatet e veta sepse kemi shumë përfitues që janë të rinj.

Bujqesia.org: Ju jeni marrë me art dhe keni udhëhequr Ministrinë e Kulturës, një ndërrim goxha i madh. A kanë diçka te përbashkëta këto fusha? Çfarë ju shtyri që pranuat të jeni pjesë e tokave të Kosovës?

Të dyjat kërkojnë angazhim të lartë. Unë jam në politikë për të marrë përgjegjësi dhe për t’i shërbyer vendit. Jam përpjekur në çdo angazhim që të punojë me tërë përkushtimin që të tejkalojmë shumë sfida. Natyrisht, kam pasur dhe kam një staf të përkushtuar me të cilat punoj bashkë, por edhe komunikim të vazhdueshëm me ekspertë të fushave përkatëse. Angazhimin tim në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e shoh si një vlerësim dhe besim për të avancuar edhe më shumë këtë sektor, pas një pune mjaftë të mirë që ka bërë ish ministri Stavileci./bujqësia.org/

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30