MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Me 43 milionë euro investime, MBPZHR-ja krijoi 2500 vende të reja pune

28.12.2015

Prishtinë, 28 dhjetor 2015 – Gjatë këtij viti Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka vazhduar të implementojë politika programore në mbështetje të fermerëve të Kosovës, në avancimin e sektorit të bujqësisë në vend, e po ashtu edhe në ruajtjen dhe menaxhimin më efikas të pyjeve të Kosovës. Këto politika programore këtë vit kanë avancuar dhe normalisht kanë qenë të bazuara edhe në programin e  Qeverisë së Kosovës dhe në planet vjetore të punës. Kështu është shprehur ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, në konferencën përmbyllëse të këtij viti, me ç’rast ai ka treguar se buxheti i këtij viti, i cili ka qenë dyfish më i madh se i vitit të kaluar, iu ka mundësuar që të rrisin dhe të zgjerojnë  përkrahjen për fermerët, si në skemën e granteve investive ashtu edhe në atë të pagesave direkte.

“Përkundër obligimeve të mëdha që na janë bartur nga viti i kaluar, që ka ardhur si pasojë e mungesës së rishikimit të buxhetit të vitit të kaluar, janë 43 milionë euro të cilat gjatë këtij viti janë ndarë për fermerët e Kosovës, të bazuara në Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, si dhe Programin për Pagesa Direkte, nga të cilat 20 milionë grante investive dhe 23 milionë kanë qenë të planifikuara për pagesa direkte. E gjatë këtij viti janë 390 ferma dhe agrobiznese, të cilat kanë përfituar grante në shumë sektor, pra janë 20 milionë euro që janë ndarë për këta 390 përfitues. Kur e kemi parasysh se skema e granteve është skemë e bashkëinvestimit, ku ne i mbështesim varësisht nga masa prej 50 deri në 70 për qind të vlerës totale të projektit, atëherë nga këta rreth 20 milionë janë gjeneruar edhe rreth 12 milionë euro investime nga vet përfituesit që në total e dërgon shumën direkte të investuar në grante rreth 32 milionë e kur i shtohen këtu edhe rreth 23 milionë investime në subvencione, atëherë vetëm nga buxheti i ministrisë pa i futur këtu pastaj investimet që vijnë në nivelin komunalë apo donatorët ne kemi pasur rreth 55 milionë euro gjenerim të investimeve në bujqësi dhe zhvillim rural gjë që është shuma më e madhe e investuar ndonjëherë në Kosovë brenda një viti. Duhet theksuar se këto investime kanë gjeneruar 2500 vende të reja pune. E po ashtu ne presim që nga këto investime të kemi një rritje të dukshme të prodhimtarisë primare, veçanërisht në sektorët strategjik”, tha ministri Krasniqi.

Ndërkaq, sa i përket pagesave direkte, ai tregoi se përmes kësaj skeme kanë rritur shumën e mbështetjes pothuajse për të gjitha kulturat dhe gjitha skemat e mbështetjes përreth 50 për qind.

“Kemi pasur rritje të mbështetjes për grurin nga 125 në 150 euro, tek misri dhe luledielli nga 100 në 150 euro, pastaj tek lopët qumështore nga 50 në 70 euro, tek delet dhe dhitë nga 10 në 15 euro,e po ashtu kemi vazhduar subvencionimin e perimeve në fushë të hapur dhe për herë të parë kemi filluar edhe me subvencionimin e pemishteve ekzistuese. Po ashtu një risi e këtij viti ka qenë edhe subvencionimi i raportimit të gjedheve të therura. E krahas kësaj këtë vit i kemi realizuar me kohë gjitha pagesat dhe në total numri i fermerëve përfitues të pagesave direkte arrin në 36786 në gjithë Kosovën”, tha Krasniqi.

Një nga prioritetet dhe objektivat kryesore të këtij viti, sipas ministrit Krasniqi, ka qenë edhe rritja e prodhimit dhe kapacitetit përpunues, në funksion të zëvendësimit të importit dhe sipas shifrave të nëntëmujorit të marra nga Dogana e Kosovës, ai tha se krahasuar me vitin paraprakë vërehet një trend i zvogëlimit të importit veçanërisht tek ato prodhime ku ka pasur një rritje të prodhimtarisë. Po ashtu, ministri Krasniqi tregoi se gjatë këtij viti ka qenë evidente edhe një rritje e eksportit të prodhimeve bujqësore drejt tregjeve të huaja.

Gjatë këtij viti, ai ka treguar se është rritur edhe transparenca me opinionin publik, ku janë  publikuar për herë të parë vlerësimet e AZHB-së për aplikacionet e granteve, fillimisht listat preliminare dhe pastaj edhe publikimi i listave finale.

Po ashtu gjatë këtij viti, ministri Krasniqi ka treguar se kanë vazhduar punën në aspektin e avancimit të legjislacionit për bujqësi, pylltari dhe zhvillimin rural .

E rëndësishme sipas Krasniqit gjatë këtij viti ka qenë edhe publikimi i rezultateve të regjistrimit të bujqësisë, gjë që sipas tij do të ketë një ndikim tejet të madh në hartimin e politikave bujqësore.

Ndërkaq, viti 2016, sipas ministrit Krasniqi do të jetë një vit sfidues, ku ai tha se do të kenë një program më të avancuar sa i përket planit për bujqësi dhe zhvillim rural.

Ai ka treguar se sa i përket programit të subvencioneve do të ketë risi, pasi që do të fillohet me subvencionimin  e disa kulturave të reja, siç është thekra, elbi, aronia, arra dhe lajthia.

“Shpresojmë që në vitin 2016 të ndërmerren masat e nevojshme për ndryshimin e legjislacionit për të kthyer tokat bujqësore të paprivatizuara në menaxhimin e Qeverisë së Kosovës, pastaj se cila instancë do t’i menaxhojë është çështje e dakordimit të Kuvendit të Kosovës për modelet më të mira”, tha ministri Krasniqi.

E po ashtu, për herë të parë gjatë vitit të ardhshëm, në kuadër të Programit për Zhvillim Rural, ai tha se do të themelohet edhe një fond për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, pasi që deri më tani nuk ka pasur një fond të tillë.

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
  1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31