Zëvendësministri Demelezi: Mjedra, kultura më strategjike në bujqësinë dhe ekonominë e Kosovës
05.12.2024 Prishtinë, 5 dhjetor 2024 - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka investuar me mbi 300 milionë euro në mbështetje financiare për fermerët përfshirë këtu edhe kulturat manore si mjedra. Këtë e ka bërë të ditur Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi në Konferencën e 9-të të Mjedrës në Kosovë me temën “Përshtatja e kultivimit të mjedrës ndaj sfidave klimatike”, e organizuar nga Shoqata “Mjedra e Kosovës”, që është mbajtur sot në Prishtinë.
Me këtë rast, Zëvendësministri Demelezi, tha se mjedra është një nga kulturat më strategjike në bujqësinë dhe ekonominë e Kosovës dhe me potencialin e saj të jashtëzakonshëm, jo vetëm që ka dëshmuar ndikimin ekonomik, por edhe social.
“MBPZhR-ja përmes skemave mbështetëse, 1.5 milionë euro i ka dedikuar posaçërisht për këtë sektor, duke reflektuar përkushtimin tonë për zhvillimin e kulturave strategjike me potencial të lartë për eksport. Po ashtu, duhet theksuar se sot 96% e prodhimit të mjedrës eksportohet, duke gjeneruar 7-7.5 milionë euro. Si frut i freskët apo i përpunuar, mjedra e Kosovës shkëlqen në tregjet evropiane për cilësinë dhe vlerën e saj, duke forcuar kështu bilancin tonë tregtar”, ka thënë Demelezi.
Ndërkaq, duke folur për ndryshimet klimatike, ai ka theksuar se mbeten një sfidë e madhe për bujqësinë, sidomos për kultura të ndjeshme si mjedra. Për këtë arsye, Zëvendësministri Demelezi tha se po punojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të krijuar një program për menaxhimin e rreziqeve natyrore, që do të ndihmojë fermerët të përballen me përmbytjet, thatësirat dhe fenomenet ekstreme.
“Në angazhimin drejt adresimit të sfidave klimatike, Ministria e Bujqësisë, në partneritet me organizatat ndërkombëtare u gjend pranë fermerëve pas përmbytjeve të 25 janarit 2023, duke ofruar ndihmë emergjente për mbi 250 fermerë nga 8 komuna”, ka thënë Demelezi.
Në fund të kësaj konference, Zëvendësministri Demelezi falënderoi Shoqatën “Mjedra e Kosovës” për angazhimin e saj të vazhdueshëm dhe rolin kyç në përfaqësimin e zinxhirit të vlerës, nga prodhuesit deri te eksportuesit.