Qeveria do të vazhdojë përkrahjen e prodhuesve vendor
14.01.2019Prishtinë, 14 janar 2019 – Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2019 do t’i përkrahë prodhuesit vendor, në veçanti ata të cilët merren me prodhimtari. Kështu është shprehur Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi ka takuar së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Kapllan Halimi, përfaqësuesit e kompanisë “Stone Castle”, e cila merret me prodhimin dhe përpunimin e rrushit.
Kryeministri Haradinaj, ka thënë se gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës do të koncentrojë tërë potencialin e saj në intensifikimin e zhvillimit ekonomik. “Qeveria e vendit, në vitin 2019 do të koncentrojë tërë potencialin e saj në intensifikimin e zhvillimit ekonomik. Me Avdi Gecajn, përfaqësues i “Stone Castle”, e cila me brendet e saj, ka tejkaluar kufijtë e vendit, biseduam për masat dhe veprimet institucionale në mbështetje të prodhuesve vendorë. Prodhuesit si “Stone Castle” janë në qendër të vëmendjes sonë dhe përkrahja e tyre, veçanërisht në vreshtari dhe verari, nuk do të mungojë asnjëherë”, ka shkruar kryeministri në profilin e tij në facebook.
Ndërkaq, sekretari i MBPZHR-së, Kapllan Halimi, ka thënë se kjo ministri përmes masave mbështetëse, në formën e pagesave direkte dhe granteve investive do të vazhdojë mbështetjen e prodhuesve dhe përpunuese të rrushit në vend, me qëllim të avancimit të mëtejmë të këtij sektori.