MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Pyllëzohen 300 hektarë tokë pyjore

29.10.2018

Prishtinë, 29 tetor 2018  –  Agjencia Pyjore e Kosovës, edhe në vjeshtën e këtij viti ka filluar realizimin e projektit të përvitshëm për pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura. Në kuadër të këtij projekti, i cili edhe sivjet është duke u financuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjegjësisht Agjencia Pyjore e Kosovës, do të pyllëzohet një sipërfaqe prej 300 hektarë.

Krahas kësaj, institucionet shtetërore angazhimin e tyre përmes projekteve të ndryshme për pyllëzimin e sipërfaqeve dhe ruajtjen e tyre do ta vazhdojnë çdo vit.

Kështu është thënë sot, në pyllëzimin e sipërfaqeve në fshatin Llashticë të komunës së Gjilanit, ku për të parë nga afër punimet në realizimin e këtij projekti kanë marrë pjesë Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zëvendësministri i MBPZHR-së, Mevludin Krasniqi, Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, Kapllan Halimi, si dhe Kryeshefi Ekzekutiv i APK-së, Ahmet Zejnullahu.

Me këtë rast, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se nevoja për një ambient të pastër dhe të pyllëzuar është e domosdoshme. “Kosova ka nevojë për ambient më të pastër. Kosova në raport me vendet e BE-së ka një situatë të mirë me pyjet. Po ashtu hedhja e mbeturinave është e papranueshme, le të mundohen ta hedhin madje jo gjithkund, mos të shkatërrohet ambienti. Ta ruajmë jetën tonë. Është kulturë e vendit tonë. Mbi 50 për qind duhet të arrijmë pyllëzim”, ka thënë ai.

Ndërkaq, zëvendësministri Mevludin Krasniqi, ka thënë se ministria do të përkushtohet përmes investimeve të saj në ruajtjen e ambientit pyjor, si dhe në rritjen e sipërfaqeve të pyllëzuara nga viti në vit. “Me qëllim të përmirësimit kualitativ të pyjeve, këtë vit po pyllëzohen mbi 300 hektarë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë zëvendësministri Krasniqi.

Kryeshefi i APK-së, Ahmet Zejnullahu, ka treguar se projekti i pyllëzimeve në vend do të përfundojë të fund të muajit nëntor, ndërkaq planifikimet e kësaj agjencie për pyllëzim në vitin 2019 do të dyfishohen. “Planifikojmë që në vitin 2019 të pyllëzojmë një sipërfaqe prej 600 hektarë”, ka thënë kryeshefi Zejnullahu. Po ashtu, ai ka treguar se përmes projektit të FAO-s në pranverën e këtij viti kanë pyllëzuar edhe një sipërfaqe prej 70 hektarë. Ndërkaq, ka treguar se vetëm në fshatin Llashticë në tri vitet e fundit janë pyllëzuar rreth 40 hektarë, ndërsa gjatë këtij viti do të pyllëzohen 2 hektarë.

Ndryshe, edhe këtë vit fidanët për pyllëzimin e këtyre sipërfaqeve janë marrë nga Fidanishtja pyjore që është pjesë e Agjencisë Pyjore të Kosovës.

 

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
    1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31