Përgatiten rekomandimet për profilin gjinor të Kosovës në bujqësi

Prishtinë, 13 shtator – Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi gjatë ditës mori pjesë në tryezën e organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës me temën “Bujqësia dhe Jetesa Rurale”, nën mbështetjen financiare të FAO-s. Në këtë tryezë u vunë në pah pabarazitë gjinore që ndikojnë në aspekte të ndryshme të prodhimit bujqësor dhe jetesës rurale.
Me këtë rast, Zëvendësministri Demelezi tha se duke qenë të vetëdijshëm se kushtet e jetesës në zonat rurale janë më të vështira, Qeveria ka vendosur të rrisë buxhetin për programet të cilat ndihmojnë dhe zhvillojnë bujqësinë dhe përmirësojnë cilësinë e jetës në zonat rurale, me fokus te gratë dhe të rinjtë. Ai po ashtu bëri të ditur se në Strategjinë dhe Programin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural 2022-2028, është bërë një përmirësim me masa afirmative për përkrahje të grave. “MBPZHR është duke punuar edhe në Ligjin për Faturat Bujqësore dhe të Magazinave, ku fermerëve ju mundësohet qasje më e lehtë në financa, e këtu sidomos për gratë mund të krijohet qasje më e lehtë, duke e ditur se ato kanë më shumë probleme në qasje në financa”, theksoi zv. ministri Demelezi.