Ministrja Zhiviq në Konferencën e Ministrave të Bujqësisë në Berlin
18.01.2020Berlin, 18 janar 2020 - Ministrja në detyrë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zhiviq ka marrë pjesë në Konferencën e Ministrave të Bujqësisë që është mbajtur në kuadër të Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi dhe Panairit Ndërkombëtar “‘Java e Gjelbër Ndërkombëtare”, në Berlin të Gjermanisë. Pjesë e kësaj konference ishin rreth 70 ministra të bujqësisë nga shtete të ndryshme të botës, ndërkaq tema e kësaj konference këtë vit ishte “Ushqimi për të gjithë! Bleni një diet të sigurt, të shumëllojshme dhe të qëndrueshme".
Pjesëmarrësit në këtë konferencë kanë diskutuar për mënyrat e tregtimit të ushqimit dhe produkteve bujqësore, si dhe shërbimeve që mund të kontribuojnë në arritjen e sigurisë ushqimore për një popullsi në rritje globale, e po ashtu aty është diskutuar edhe për përmirësimin e ushqimit dhe shëndetit të njeriut, jetesën, të ardhurat e fermerëve dhe arritjen e sistemeve të qëndrueshme të ushqimit për të ruajtur planetin.
Gjatë konferencës, Ministrja Zhiviq zhvilloi disa takime bilaterale me homologët e saj nga shtete të ndryshme. Po ashtu, Zhiviq ka folur për përgatitjet për fazën tjetër të ndihmës para-pranuese për zhvillimin rural (IPARD), me qëllim që të kontribuojë në sektorin e bujqësisë në arritjen e nivelit të gatishmërisë së kërkuar për bujqësinë moderne dhe të dixhitalizuar. "Përmes programeve IPA, ne synojmë të përqendrohemi në përafrimin dhe zbatimin e Politikës së Përbashkët Bujqësore, Organizatës së Përbashkët të Tregut Bujqësor (CMO), ngritjen e kapaciteteve të organeve të menaxhuara nga IPARD, Agjencisë IPARD dhe institucioneve mbështetëse, si shërbimet këshilluese dhe statistikat bujqësore", ka thënë Zhiviq.
Ministrja ka shprehur falënderimin e saj për ministren e Ushqimit dhe Bujqësisë të Gjermanisë, Julia Klokner për organizimin e këtij takimi, si dhe për Grupin e Përhershëm të Punës për Zhvillimin Rajonal dhe Rural (SËG), i cili vazhdimisht është duke inkurajuar dialogun për tema të ndryshme në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.