Ministri Peci në takimin vjetor mes Suedisë dhe Kosovës

Prishtinë, 20 qershor 2024 – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka marrë pjesë në takimin vjetor mes Suedisë dhe Kosovës, i cili është zhvilluar me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror.
Me këtë rast, Ministri Peci ka theksuar se Suedia ka financuar disa projekte transformuese në sektorin e pylltarisë në Kosovë, të cilat kanë ndikuar në reduktimin e prerjeve ilegale përmes zbatimit të Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë 2022-2030 dhe punës së Task Forcës për mbrojtjen e pyjeve.
“Nga viti 2021 deri në 2023, kemi pyllëzuar rreth 1.5 milion fidanë ndërsa në kontekstin e digjitalizimit jemi në proces të investimit të1.5 milionë eurove për realizimin e Kadastrit Pyjor. Po ashtu po hartojmë planin kombëtar për menaxhimin e gjuetisë, faunës së egër dhe ekoturizmit, dhe kemi krijuar 7 njësi emergjente për trajtimin e zjarreve pyjore”, ka thënë Ministri Peci.
Ndër tjerash, ai ka treguar se sektori pyjor kontribuon ndjeshëm në ekonominë e vendit e në këtë mënyrë theksoi se synojnë zbatimin e Objektivit të 15-të të Zhvillimit të Qëndrueshëm.