Ministri Peci mori pjesë në fillimin e fushatës "Parandalojmë tërbimin, ruajmë shëndetin

Prishtinë, 26 maj 2024 - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë ka filluar fushatën "Parandalojmë tërbimin, ruajmë shëndetin”, e cila ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin mbi sëmundjen e Tërbimit dhe masat që ndërmerren për parandalimin e saj në Kosovë. Kjo sëmundje është zoonozë, bartet nga kafshët tek njeriu dhe është vdekjeprurëse.
Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë po e zhvillon këtë aktivitet në dy faza – atë pranverore dhe vjeshtore, tani si aktivitet me mjete vetanake përkundër viteve të kaluara, kur ky aktivitet është financuar nga Bashkimi Evropian.
Me këtë rast, në fillimin e kësaj fushate ka marrë pjesë edhe Ministri i BPZhR-së, Faton Peci, i cili theksoi se përmes këtij aksioni po tregohet përkushtimi ndaj shëndetit publik dhe mirëqenies së komunitetit.
Ndryshe, vaksinimi bëhet përmes shpërndarjes së karrem vaksinave nga ajri me avionë por edhe në mënyrë manuale, për të siguruar konsumimin e vaksinave nga kafshët e egra.
Sipas statistikave, në botë çdo ditë vdesin 160 persona ndërsa brenda vitit vdesin 59,000 persona. Rasti i fundit i shënuar në Kosovë daton që nga viti 2007 ndërsa momentalisht Kosova nuk numëron asnjë rast të kësaj zoonoze.