MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

MBPZHR-ja dhe GIZ nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për përkrahjen e sektorit të verës dhe rrushit

11.03.2015

Prishtinë, 11 Mars 2015 – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi bashkë me Ambasadoren gjermane në Prishtinë, Angelika Viets kanë vizituar sot disa verari në Rahovec, me ç’rast edhe kanë qenë të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi mes MBZHR-së, GIZ-it, dhe dy shoqatave asaj të verarisë dhe asaj të vreshtarisë.

Kjo marrëveshje është në kuadër të projektit “Rritja e konkurueshmërisë së sektorit privat në zonat rurale’’, që implementohet nga GIZ. Me këtë marrëveshje  mirëkuptimi palët  nënshkruese pajtohen për bashkëpunim në  zhvillim të strategjisë për sektorin e verës, për  konceptin e marketingut dhe aktivitete promovuese dedikuar tregjeve lokale, rajonale dhe të BE-s, si dhe adaptimin e kornizës ligjore sipas  Acquis Communautaire. 

Po ashtu marrëveshja parasheh mbështetjen financiare për shoqatat të verës dhe vreshtarisë për pjesëmarrje në panaire të verës në Gjermani. Kjo marrëveshje është nënshkruar nga Sekretari i MBPZHR-së, Kapllan Halimi, Drejtori i GIZ-it në Kosovë, James Macbeth Forbes, drejtori i shoqatës së verës Enologjia, Nevzat Haxhijaha  dhe presidenti i shoqatës së prodhuesve të rrushit, Afrim Sharku.

Ministri Krasniqi tha se rrushi dhe vera janë potencial i madh për Kosovën dhe se deri më tani kanë treguar rezultate mjaftë të mëdha në prodhim dhe eksport. Ai deklaroi se MBZHR-ja sivjet ka rritur buxhetin për përkrahje të verarisë dhe vreshtarisë.

“Përveç rritjes së buxhetit ne kemi lehtësuar edhe kriteret këtë vit, duke zgjatur afatin e implementimit te projekteve që mbështeten nga MBZHR-ja e që përben një lehtësim të madh për sektorin e rrushit në përgjithësi”, ka deklaruar ai. Ministri falënderoi shtetin gjerman për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Kosovës, në veçanti në sektorin e bujqësisë. Ai tha se Gjermania është një model i punës dhe përkushtimit dhe Kosova mund të marrë shumë mësim.

Ministri shtoi se fokus i veçantë i ministrisë në këtë mandat do të jetë rritja e sipërfaqeve me vreshta, dhe rritja e kuotës së eksportit në Bashkimin Evropian.

“Unë kam kërkuar nga Komisioni Evropian që të na rrisin kuotën sepse ne kemi kapacitete dhe padyshim e meritojmë të jemi të barabartë me vendet e rajonit”, theksoi ai.

Ambasadorja gjermane, Angelika Viets tha se projekti për mbështetjen e verarisë bëhet me qëllim që të zhvillohet edhe më shumë ky sektor. Ajo tha se ky sektor ka shumë potencial për të qenë konkurrent në tregun vendor, rajonal dhe evropian.

Kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi tha se projekte si kjo ndihmojnë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të komunës dhe zhvillimin e biznesit të këtij qyteti.
 
Ministri Krasniqi dhe ambasadorja kanë vizituar edhe dy verari të njohura në Rahovec; "Stone Castle" dhe  “Bodrumi i Vjetër” me ç’rast janë njoftuar nga afër me punën që bëhet në këto verari, prodhimin, kushtet e punës dhe raportin me tregun. Drejtues të këtyre verarive kanë vlerësuar lartë mbështetjen që jep MBZHR-ja në vazhdimësi për ta.
 

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30