MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Mbahet seminari për kultivarët e rrushit rezistente ndaj sëmundjeve

16.03.2023

Prishtinë, 16 mars – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, konkretisht Departamenti i Vreshtarisë dhe Verëtarisë në Rahovec në bashkëpunim me Shoqërinë për prodhimin e fidanëve të hardhisë “VCR – Raushedo”, si dhe përfaqësuesin e kësaj shoqërie për Kosovë dhe Shqipëri “Agroherbal” Sh.P.K organizuan seminarin me titull “Kultivarë hardhie tejet të qëndrueshëm ndaj sëmundjeve & Klone të përzgjedhura nga kultivar hardhish shqiptare”. 

Në fjalën e tij të rastit, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci i përgëzoi organizatorët dhe të pranishmit për punën e tyre, si dhe përshëndeti në veçanti Akademik Eugenio Sartori, Prof. Dr. Andrea Shundi dhe Agronom Arif Daçi për sensibilizimin e kultivimit në trojet Shqiptare të varieteteve të hardhisë së rrushit rezistente ndaj sëmundjeve. “Kultivimi i hardhisë së rrushit, prodhimi i verës dhe produkteve tjera nga rrushi dhe vera në Kosovë ngjan me ato të trevave tjera shqiptare dhe ballkanike më shumë se 2000 vjet lashtësi të kultivimit të hardhisë. Andaj, duke u nisur nga këto që u thanë në këtë seminar, koleksionet varietore rezistente ndaj sëmundjeve të kultivuara dhe ato që priten të mbillen së bashku me klonet e përzgjedhura të varieteteve autoktone, si Vranç e Dibrak do të paraqesin një platformë të re për promovimin dhe prezantimin e verërave Kosovare në tregun vendor, tregjet Rajonale, Evropiane dhe Botërore”, u shpreh Ministri Peci. 

Ministri Peci gjithashtu tha se mbështetja e MBPZHR-së për sektorin e vreshtarisë dhe verëtarisë ndër vite nuk ka munguar. “Nga fillimi i aplikimit të programeve mbështetëse të Ministrisë për Grante dhe Subvencione afërsisht 25 milionë Euro janë investuar në këtë sektor. Ministria e Bujqësisë ka investuar në ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përforcimin e Regjistrit elektronik të Vreshtave dhe Sistemin për Menaxhimit të Cilësisë së verës duke zbatuar praktikat më të mira të vendeve Evropiane. Vitin e kaluar është miratuar Ligji për Pijet e Forta Alkoolike, ndërsa Ligji i ri për Verërat ka kaluar në lexim të parë së shpejti edhe ai do të miratohet, e kjo tregon përkushtimin e MBPZhR-ja në krijimin e legjislacionit dhe kompletimin e tij. Andaj, duke parë rëndësinë dhe veçantinë që vreshtat e Rahovecit kanë, nuk është i tepruar propozimi që zona e vreshtave të Rahovecit të shndërrohet në një zonë të mbrojtur nga UNESCO”, tha në përfundim të fjalimit të tij Ministri Peci. 

Ndryshe, Republika e Kosovës ka një sipërfaqe me vreshta rreth 3,461 ha. Shtrirja e vreshtave është e kufizuar në disa komuna, siç janë: Rahoveci, Suhareka, Prizreni, Gjakova, Malisheva, Istogu, Peja e Klina. 

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
  1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31