Mbahet punëtori për zbatimin e strategjisë nga sektori i bujqësisë dhe sektori i pylltarisë
14.02.2022Prishtinë, 11 - 12 shkurt 2022 – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Organizatën për Ushqim dhe Bujqësi në Kosovë – FAO për dy ditë me radhë mbajtën punëtorinë në të cilën u finalizuan dokumentet kryesore për zbatimin e strategjive të aprovuara nga Qeveria e Rep. së Kosovës, siç është Draft-Plani i Veprimit 2022 - 2024 për zbatimin e Strategjisë për Zhvillimin e Pylltarisë 2022 - 2030 dhe Draft-Plani i Veprimit 2022 - 2024 për zbatimin e Strategjisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022 - 2030.
Kjo punëtori u kryesua nga Sekretari i Përgjithshëm i MBPZhR-së, Blerim Hasani, ndërsa pjesëmarrës ishin përfaqësues të departamenteve përkatëse të MBPZhR-së, ekspertë vendor të FAO-s, etj., të cilët diskutuan dhe me këtë rast u dakorduan për veprimet apo aktivitetet, objektivat specifike dhe ato strategjike prioritare, si dhe u përcaktuan indikatorët në zbatimin e këtyre strategjive.
Gjithashtu, përgjatë këtyre dy ditëve të punëtorisë u harmonizuan dhe definuan çështjet e ndërlidhura që trajtojnë strategjia e sektorit bujqësor dhe strategjia e sektorit pyjor, ndërsa konkluzat dhe rezultatet nga kjo punëtori do të plotësojnë draft-planet për zbatimin e strategjive.
Vlenë të theksohet se zbatimi i strategjive sektoriale, si: Strategjia për Zhvillimin e Pylltarisë 2022 - 2030 dhe Strategjia për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022 - 2030 të aprovuara nga Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2021, janë ndër prioritetet kryesore të MBPZhR-së për vitin 2022.