Fillon mbledhja e të dhënave për planin e menaxhimit të pyjeve në Radushë

Me qëllim të përfshirjes së palëve të interesit në hartimin e planit të menaxhimit të pyjeve në Njësinë Menaxhuese Radusha, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Programin e FAO-s për pylltari dhe Agjencinë Pyjore të Kosovës kanë organizuar punëtorinë e parë në Istog me zyrtarët e APK-së, përfaqësueit e bizneseve, si dhe organizatave që merren me bimë mjekuese dhe turizëm në atë zonë.
Përmes diskutimeve dhe punës së bërë në grupe, pjesëmarrësit kanë kontribuar në grumbullimin e të dhënave për funksionet e pyjeve dhe menaxhimin shumëqëllimor, duke paraqitur në hartë aktivitetet që ata zhvillojnë në zona të caktuara. Këtu përfshihen produktet e drurit, produktet e dyta pyjore (bimët mjekuese dhe aromatike, frutat e pyllit, bletaria), turizmi malor dhe biodiversitetin e monumentet e natyrës që kërkojnë mbrojtje.
Planet menaxhuese të pyjeve janë dokumentet kryesore që hartohen për periudhë 10 vjeçare mbi bazën e të cilave planifikohet shfrytëzimi i pyjeve, planifikimi i masave silvilkulturore, planifikimi i pyllëzimeve, masat e mbrojtjes së pyjeve, projektet e infrastrukturës, planifikimi i duhur për nevoja të komunitetit dhe biznesve, si dhe zhvillimi i turizmit malor. Menaxhimi bëhet sipas funksioneve mjedisore, ekonomike dhe socio-ekonomike.
Programi “Mbështetje në fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovës, zbatuar nga FAO-s, do të mbështesë MBPZHR-në dhe APK-në në hartimin e planeve menaxhuese shumëqëllimore të pyjeve për katër njësi menaxhuese, Radushë, Novobërdë, Biraq dhe Kovaçicë.