MINISTRIA E BUJQËSISË
PYLLTARISË DHE ZHVILLIMIT RURAL

Përurohet laboratori për analiza bujqësore dhe serra eksperimentale në Pejë

29.01.2018

Prishtinë,  29 janar 2018 - Me funksionalizimin e laboratorit për analiza bujqësore dhe serrës eksperimentale, po krijohen mundësitë për zhvillimin e mëtejmë të sektorit të bujqësisë sipas standardeve evropiane.

Pajisja e Institutit Bujqësor të Kosovës me këtë laborator dhe serrë eksperimentale, të cilat janë inauguruar sot, është mbështetur  nga projekti italian “KosAgri”, i cili financohet nga Qeveria e Italisë, e që është implementuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Me rastin e inaugurimit të këtij projekti, Sekretari i Përgjithshëm i MBPZHR-së, Kapllan Halimi, ka vlerësuar se ky laborator modern dhe kjo serrë do të shërbejë për zhvillimin e mëtejmë të sektorit të bujqësisë. “Krahas investimeve në kuadër të këtij projekti, Qeveria e Kosovës, gjegjësisht MBPZHR-ja do të vazhdojë investimet edhe në shumë projekte tjera, të cilat do të ndihmojnë edhe më tej avancimin dhe fuqizimin e Institutit Bujqësor të Kosovës, potencialet e të cilit po zgjerohen çdo ditë e më shumë”, ka thënë Halimi. Ai po ashtu ka treguar se projekti synon zbatimin e nismave në Kosovë në perspektivën e procesit të integrimit evropian me standardet e kërkuara. Sipas tij, tashmë IBK-ja ka krijuar një laborator referent ndërkombëtar për mbrojtjen e bimëve.

Ndërkaq, zëvendës ambasadori i Italisë në Kosovë, Matteo Corradini, tha se ky projekt ka rëndësi shumë të madhe strategjike për dy objektivat kryesore të Kosovës, siç është zhvillimi ekonomik dhe procesi i integrimit evropian në këtë sektor. “Ky projekt do të ndihmojë avancimin e Institutit Bujqësor të Kosovës, i cili është edhe një faktor i zhvillimit ekonomik e krahas kësaj ky projekt do t’i krijojë lehtësi vendit për të eksportuar produktet agrokulturore, gjë që edhe promovon zhvillimin rural të vendit”, tha zëvendës ambasadori Corradini.

Në anën tjetër, drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci, ka treguar se viteve të fundit, kanë bërë investime të mëdha në ngritjen e kapaciteteve të Institutit. “Instituti Bujqësor, i cili funksionon në kuadër të MBPZHR-së ka arritur të funksionalizojë laboratorin për analiza bimore dhe serrën eksperimentale, të cilat do të shërbejnë për përmirësimin e menaxhimit të integruar të dëmtuesve në pemëtari, si dhe do të krijojnë kushte të përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë organike”, ka thënë drejtori Geci.

Ndryshe, projekti italian “KosAgri”, është mbështetur nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe Instituti Agronomik Mesdhetar në Bari të Italisë, ndërsa vlera e projektit për funksionalizimin e laboratorit dhe serrës arrin vlerën prej 260 mijë euro.

 

  • H
  • M
  • M
  • E
  • P
  • Sh
  • D
    1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31